Politikat e Burimeve Njerëzore

Ja cilat janë në mënyrë të përmbledhur shtyllat kryesore mbi të cilat është ngritur dhe funksionon aktiviteti i Departamentit të Burimeve Njerëzore për të gjitha kompanitë e Grupit:

·         Rekrutimi i një stafi sa më profesional, ambicioz dhe të kualifikuar.

Proçedura e rekrutimit përcakton në mënyrë preçize të gjithë hapat që ndiqen për rekrutimin e stafit të ri që nga shpallja e pozicionit të lirë të punës dhe deri tek testimi profesional i kandidatëve. Tashmë dihet se çdo të thotë për një kompani një rekrutim i pasuksesshëm; para dhe kohë të shpenzuara kot. Pikërisht për të shmangur këtë kosto, ne përpiqemi që nëpërmjet metodave dhe praktikave më efikase të rekrutimit të përzgjedhim individë sa më profesionalë.  

·         Trajnim dhe çertifikim i vazhdueshëm i stafit me qëllim përmirësimin e performancës, rritjen profesionale dhe ngjitjen e shkallëve të karierës brenda strukturës së kompanisë.

Çdo punonjës i secilës prej kompanive të InfoSoft Group ka planin e saj të trajnimit, i cili është i ndryshueshëm në varësi të nevojave të kompanisë apo të kërkesave të postit të punës. Trajnimet janë nga më të ndryshmet, duke filluar që nga on-job training, trajnime on-line, pjesëmarrje në kurse të ndryshme brenda dhe jashtë vëndit, etj.

·         Vlerësim i rregullt dhe i dokumentuar i punës së secilit punonjës, në funksion të motivimit dhe përmbushjes së detyrave konkrete të postit të punës.

Proçedura e vlerësimit të performancës përcakton në mënyrë të detajuar hapat që ndiqen për vlerësimin periodik të punës së çdo punonjësi. Formulari i vlerësimit përmban një numër të konsiderueshëm kërkesash të karakterit personal dhe profesional, të cilat merren në konsideratë dhe vlerësohen me pikë për secilin nga punonjësit. Në varësi të rezultatit të përgjithshëm të arritur në vlerësim, hartohet edhe plani i trajnimit apo motivimit të punonjësit.

·         Motivimi i punonjësve në drejtim të nxitjes së aftësive personale dhe rritjes së efikasitetit në punë.

Një rëndësi të veçantë InfoSoft Group i kushton motivimit të punonjësve. Metodat që përdoren për motivimin e stafit janë specifike dhe varen nga situatat konkrete, pozicioni i punës apo karakateristikat personale të punonjësve. Ne kujdesemi që çdo punonjës i pozicionuar në secilën nga kompanitë e InfoSoft Group të ndihet i motivuar moralisht dhe financiarisht. Për këtë arsye, ne jemi vazhdimisht në dijeni me praktikat më të avancuara ndërkombëtare të motivimit të punonjësve, duke i përshtatur ato me nevojat dhe karekteristikat tona.